An Albanian translation of an article : Islamophobia and Islamic Extremism – Two Sides of the Same Coin
Roli i parimeve universale
Ekzistojnë mbështetje reciproke dhe ngjashmëri të mëdha dhe shumë interesante midis pikëpamjeve të shprehura nga islamofobët dhe ekstremistët islamikë. Paragrafet më poshtë dëshmojnë se është e nevojshme që dijetarët e mirëfilltë t’i kundërshtojnë hapur dhe njëkohësisht edhe islamofobët edheekstremistët islamikë përmes një pozite të ekuilibruar që bazohet në parimet e njohura universale, siç është drejtësia, barazia, liria, bashkëjetesa paqësore, dhe të drejtat themelore të njeriut.
Përveç se janë të njohura si vlera “sekulare”, këto parime janë shumë të ngjashme më qëllimet themelore të Islamit, objektivat më të larta, synimet dhe qëllimet (Në origjinal: arabisht: makasid), të cilat me shpejtësi të madhe po fitojnë popullaritet dhe legjitimitet në literaturën islamike.
Me shpresë, se një pozicionim i tillë do rezultojë në një mospranim të gjerë publik si të islamofobisë, po ashtu edhe të ekstremizmit islamik, në vijim do të përpiqemi ti themi dy-tri fjalë në lidhje me këtë.
Kur flasim për dijetarët – me këtë nënkuptojmë dijetarët islamik, dijetarët perëndimorë dhe, sidomos dijetarët që identifikohen edhe si “perëndimorë” edhe si “islamikë.” Më poshtë janë ca shembuj ilustrues nga temat për të cilat më shpesh flasin islamofobët dhe ekstremistët islamikë: statusi i femrës në Islam, dhuna, civilizimi, integrimi shoqëror dhe parimet morale.
Islamofobët statusin e femrës në Islam e perceptojnë shtypës ndaj femrës: burrat myslimanë kanë të drejtën ti detyrojnë gratë e tyre ti binden një kodi të caktuar të veshjes dhe të abuzojnë me to, si dhe gratë myslimane thjeshtë nuk kanë të drejta politike, ekonomike ose shoqërore. Verzioni i ekstremistit islamik mund me shumë sinqeritet dhe me të drejtë të përshkruhet si androcentrik (androcentrizmi nënkupton mashkullin në qendër të vëmendjes (ndaj gruas]). Në këtë verzion, citatet fetare islame janë (keq)interpretuar në një stil që iu shërben meshkujve e që është në kundërshtim me parimet kuranore të barazisë, mirësisë dhe drejtësisë.
Roli i dijetarëve është të kundërshtojnë të dyja këto pikëpamje, duke u bazuar në qëllimet më të larta fondamentale të Islamit. Në të vërtetë duhet theksuar liria, si një qëllim islamik, që sqaron se askush nuk ka të drejtë të detyrojë këdoqoftë, burrë apo grua, të praktikojë Islamin në një mënyrë të caktuar: “nuk ka dhunë në fe…” (Kurani: 2:256) Po ashtu duhet theksuar barazia midis gjithë qenieve njerëzorë, burrave dhe grave, si një nga parimet më të larta thelbësorë të Islamit.
Islamofobët po ashtu e shohin Islamin si një “fe të dhunës”, “në të cilën Zoti të urdhëron t’a dërgosh të birin të vdesë për Atë,” dhe se myslimanët kanë tendenca të dhunshme me të cilat duhet të merremi me një strategji që këtë e pozicionon si çështje prioritare. Dhe kështu me rradhë… Pikëpamja e ekstremistit islamik nuk e vlerëson jetën njerëzore në mënyrën siç e vlerësojnë atë citatet fetare dhe tradita e mirëfilltë islame. Edhe këtu është puna e dijetarëve kritik që të hedhin poshtë të dyja këto spjegime të rrejshme përmes vlerave universale të drejtësisë dhe paqes. Aktet e dhunës të kombinuara me padrejtësi, qofshin në një nivel individual apo një shkallë më të gjerë, duhet të definohen si akte të papranueshme terrori, pavarësisht se çfarë emërtimesh apo arsyetimesh u jepen të njëjtave. Edhe këtu, parimet më të larta dhe qëllimet morale të drejtësisë dhe paqes ofrojnë më shumë baza të nevojshme universale të kësaj sfere.
Ngjashëm, islamofobët e shohin Islamin si një religjion jotolerant që është “i papërputhshëm me civilizimin (qytetërimin).” Për pasojë, ata i përjashtojnë myslimanët si individë, rrjete apo organizata nga verzioni i tyre i shoqërise civile “sekulare.” Përmes veprimeve të tyre, ekstremistët islamikë e paraqesin Islamin si një fe jotolerante që është sigurisht jo-sekulare. Dijetarët duhet të sqarojnë se si aktivizmi islamik, (dhe në përgjithësi aktivizmi i bazuar në religjion) është në të vërtetë një formë e sjelljes qytetare – përkundër veprimeve të disa grupeve anësore/periferike – përderisa mishëron vlera universale siç janë toleranca, reciprociteti, bashkëpunimi, etj. Në mungesë të një termi më të përshtatshëm, manifestimi i qytetërimit (civilizimit) i bazuar në religjion nuk është patjetër të marrë formën e njëjtë të “traditës sekulare” eurocentrike, përkundrazi…
Islamofobët nuk mund t’a pranojnë idenë e integrimit të myslimanëve në shoqëritë perëndimore. Ato mendojne se “zgjidhja” e vetme “e problemit” të pranisë islamike në Perëndim është asimilimi i tërësishëm – kësisoji pamundësimi i ekzistencës së një identiteti perëndimor Islam. Ata që s’duan të “asimilohen”, sipas islamofobëve, duhet ta braktisin Perëndimin. Si për ironi, ekstremistët islamikë kërkojnë të njëjtën gjë. Ata sot e kësaj dite iu bëjnë thirrje myslimanëve të Perëndimit të mos integrohen dhe të “kthehen në vendet e tyre”, përfshirë edhe ato myslimanë të Perëndimit të cilët nuk kanë një vend tjetër të origjinës, por janë perëndimorë autoktonë. Koncepti i integrimit përfshin një formë të multikulturalizmit, në të cilën myslimanët bëhen një përbërës i mozaikut perëndimor. Por myslimanët dhe bashkëqytetarët e tyre duhet të mësojnë se integrimi bazohet në tolerancë, respektimin e dallimeve (diversiteti), dhe bashkëjetesën paqësore, të cilat janë vlera të përbashkëta tek të gjithë.
Parimet morale janë një tjetër sferë kundërshtuese. Edhe islamofobët edhe ekstremistët islamikë zakonisht e definojnë moralin në termat e manifestimeve kulturore, e jo në bazë të vlerave dhe kuptimeve thelbësore. Kësisoji, të dyja palët gabimisht pretendojnë të kenë një nivel më të lartë të moralit. Roli i dijetarëve është që të përpiqen të propozojnë një ekuilibër të nevojshëm midis universalismit dhe relativizmit në moral. Në këtë vështrim, disa vlera morale do të përbënin bazën e konsensusit midis të gjitha vlerave, siç janë të sipërpërmendurat, pavarësisht nga forma e paraqitjes që ato mund të kenë në kontekst të ndryshëm social ose religjioz.
Relativizmi i propozuar nuk do të thotë dhe nuk duhet të përdoret për të justifikuar aktet që janë kundër të drejtave universale njerëzore. Të drejtat universale njerëzore,(d.m.th. të drejtat themelore njerëzore) duhet të përbëjnë një tjetër sferë të përbashkët të fortë dhe të pranueshme.
Për t’a përmbyllur, dijetarët duhet të përpiqen të arrijnë një konsensus të pranueshëm mbi një grup të caktuar vlerash morale universale, siç janë drejtësia, barazia, paqja, të drejtat themelore njerëzore, bashkëjetesa, toleranca, bashkëpunimi dhe sjellja morale. Po ashtu nevojitet një përpjekje e mëtejshme intelektuale që të binden sa më shumë njerëz se format e paraqitjes kulturore të këtyre vlerave janë relative dhe mund të shfaqen në forma dhe ngjyra të ndryshme shoqërore. Këto forma të paraqitjes janë të vlefshme përderisa nuk i dhunojnë vlerat themelore universale dhe të drejtat njerëzore.
Shpresojmë se promovimi i këtyre parimeve universale do të vetëdijesojë njerëzit të cilët nga të gjitha anët duan ti bashkohen fushatave islamofobe ose fushatave të ekstremizmit islamik dhe do ti tërheqin/kahëzojnë drejt një baze të përbashkët univeresale.
Jasser Auda është profesor në Fakultetin Islamik të Katarit, themelues dhe anëtarë i bordit ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtarë të Dijetarëve Musliman.
Përktheu nga Anglishtja, A. Xhaferi